Lidhje


Kurti në Krushë të Madhe: Ukshin Hoti, mendja që u zhduk dhunshëm, por nuk u shua kurrë

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri Andin Hoti, vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, me rastin e 27-vjetorit të zhdukjes së profesorit dhe veprimtarit të njohur shqiptar.

 

Kurti e cilësoi Ukshin Hotin si një nga mendjet më të ndritura shqiptare, duke theksuar se teoritë e tij politike nuk kanë vetëm vlerë kombëtare, por edhe universale. Sipas tij, mendimi politik i Hotit i jep rol vendimtar vullnetit të popullit, republikës demokratike, emancipimit dhe çlirimit të popujve.

 

Duke kujtuar ditën e 16 majit, Kurti tha se pikërisht 27 vite më parë Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku fillimisht ishte mbajtur si i burgosur politik dhe më pas si rob lufte, për t’u zhdukur dhunshëm menjëherë pas lirimit. Ai theksoi se edhe sot, pas gati tri dekadash, nuk dihet asgjë për fatin e tij.

 

Kryeministri në detyrë deklaroi se vepra e Ukshin Hotit duhet të rilexohet dhe studiohet më thellë. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për botimin e veprave të tij dhe se materiali po mblidhet nga disa vende, përfshirë Beogradin, Zagrebin dhe Harvardin, ku Hoti kishte studiuar, punuar dhe shkruar.

 

Kurti u shpreh se vizita në Shtëpinë Muze dhe fotografitë e Ukshin Hotit ngjallin ndjenja të përziera: pikëllim për mungesën e tij, por edhe krenari për trashëgiminë që ka lënë pas. Ai tha se Hoti vazhdon të ndriçojë rrugën e shqiptarëve, njësoj si rilindësit e tjerë të kombit.

 

Në fund, Kurti nderoi figurën e Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorët e martirët e kombit shqiptar, duke theksuar se vepra e tij mbetet e gjallë dhe aktuale.a

XS
SM
MD
LG