Lidhje


Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë

 

Komisioni Qendror i zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka certifikuar listën e votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, raporton Anadolu.

 

Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2.092.174 votues, ndërsa kjo listë përmban 15.884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor të vitit 2025.

 

Sipas të dhënave nga lista e votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1.959.962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132.212 votues, prej të cilëve 100.970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3.518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.

 

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor është 22.685 votues.

 

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2.498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

 

Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime ku votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor të vitit 2026.

XS
SM
MD
LG