Kurti: Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyeshme
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, mori pjesë në mëngjesin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT), transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në fjalën hyrëse, Kurti falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyeshme.
Krahas bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në rritje me Turqinë, kryeministri në detyrë Kurti foli me theks të veçantë për atë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes të Republikës së Kosovës, përkatësisht prodhimin e municionit.
Gjatë këtij mëngjesi pune, kryeministri në detyrë Kurti shpalosi planet për katër hekurudhat të reja si lidhje me rajonin dhe Evropën, por edhe rrjet i brendshëm: Fillimin e ndërtimit të hekurudhës Gjakovë-Shkodër, në kuadër të asaj Prishtinë-Durrës; pastaj përfundimin e linjës hekurudhore 10, Han i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak; projektimin e linjës Prizren – Ferizaj – Gjilan – Bujanoc; si dhe, përgatitjen e asaj Prishtinë – Aeroport.
Në këtë mëngjes pune përveç përfaqësuesve të Odës Ekonomike Turko-Kosovare, me në krye Orcun Ozdemir, mori pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili.