Lidhje


Kongresistët amerikanë zbarkojnë në Preshevë e Kosovë: në fokus të drejtat e shqiptarëve në Serbi

 

Dy kongresistë amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, ndodhen në Ballkan, ku pas vizitës në Serbi pritet të shkojnë edhe në Luginën e Preshevës dhe në Kosovë.

 

Në Beograd ata diskutuan me zyrtarë serbë për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe pozitën e komunitetit serb në Kosovë, ndërsa një takim i parashikuar me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, u anulua pa shpjegim publik.

 

Vizita më e ndjeshme është ajo në Preshevë, ku kryetarja Ardita Sinani e quajti “moment historik për Luginën”. Ajo pritet t’u paraqesë kongresistëve problemet kryesore të shqiptarëve në Serbi: përfaqësimin e ulët institucional, pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave nga Kosova, papunësinë, zhvillimin e pabarabartë ekonomik dhe largimin e të rinjve. Në fokus do të jetë edhe moszbatimi i marrëveshjeve të viteve 2001, 2007 dhe 2013 për të drejtat dhe integrimin e shqiptarëve.

 

Lajmi merr peshë edhe për shkak se Keith Self ka iniciuar më herët një projektligj në Kongresin amerikan që kërkon raport të posaçëm për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

 

Delegacioni pritet të vizitojë edhe Kosovën, në një kohë kur në Kongresin amerikan është propozuar edhe një rezolutë dypartiake për të shtyrë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

XS
SM
MD
LG