Kurti shpall krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës: strukturë e re mes Policisë dhe Ushtrisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit do të procedohet me ligj të veçantë krijimi i Xhandarmërisë së Kosovës, një strukturë e re sigurie që sipas tij do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë.
Kurti tha se xhandarmëria do të ketë mandat për sigurimin e kufirit tokësor, ujor dhe ajror të Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste, të armatosura dhe paraushtarake, si dhe parandalimin e kontrabandës së mallrave, armëve dhe emigrantëve.
Sipas tij, kjo strukturë do të angazhohet edhe në menaxhimin e situatave me rrezik të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Kurti e justifikoi nismën me ndryshimin e kërcënimeve të sigurisë, duke përmendur sulmet e armatosura, infiltrimin e grupeve të strukturuara dhe rrezikun ndaj sovranitetit të Kosovës.