Lidhje


Pesë arrestime për masakrën e Reçakut, Kurti godet: Deri në 2020, zero angazhim për drejtësi

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të Policisë së Serbisë, të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut të vitit 1999. Në mbledhjen e parë të qeverisë në detyrë pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, Kurti tha se arrestimet erdhën pas gjashtë muajsh hetime dhe i cilësoi si hap të rëndësishëm për drejtësinë.

 

Megjithatë, ai kritikoi ashpër mungesën e veprimeve institucionale për më shumë se dy dekada. Sipas Kurtit, deri në vitin 2020 askush nuk ishte marrë seriozisht me këtë rast dhe nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i nuk kishte asnjë dosje për Masakrën e Reçakut. Ai tha se, ndërsa tani ka arrestime pas gjashtë muajsh hetim, më parë ka pasur “më shumë se dy dekada dështim” dhe mungesë angazhimi për drejtësi.

 

Kurti theksoi se hetimet për krimet e luftës duhet të përshpejtohen, pasi lufta e Kosovës po i afrohet tri dekadave, dëshmitarët po plaken dhe shumë prej tyre tashmë kanë ndërruar jetë.

 

Në pjesën politike, Kurti foli edhe për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, duke thënë se Kosova nuk kishte nevojë për to dhe se rezultati e dëshmoi këtë. Ai tha se pas certifikimit të rezultatit nga KQZ-ja, do të nisin diskutimet për konstituimin e Kuvendit të ri, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes.

 

Sipas rezultateve të raportuara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën parlamentare me 53 deputetë, pasuar nga PDK me 22, LDK me 18 dhe AAK me 7 deputetë. LVV mund ta formojë qeverinë me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, por për zgjedhjen e presidentit i duhet mbështetja e një partie tjetër të madhe. LDK ka shprehur gatishmëri për diskutime, ndërsa Kurti ka thënë se bisedimet do të nisin vetëm pas certifikimit të rezultateve.

XS
SM
MD
LG