Lidhje


“Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën”/ Prishtina shpall ‘non grata’ përgjithmonë ministren serbe Snežana Paunović

 

Kosova ka shpallur persona non grata ministren serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snežana Paunović, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe tranzitin në territorin e Republikës së Kosovës. Vendimi u mor pas deklaratës së saj se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit gjatë luftës, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

 

Vendimin e bëri publik ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se akti ishte nënshkruar dhe u ishte përcjellë institucioneve kompetente për zbatim.

 

“Kam nxjerrë vendim përmes të cilit Snežana Paunović shpallet person i padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes apo transitimit nëpër Republikën e Kosovës”, deklaroi Sveçla. Ai e cilësoi retorikën e ministres serbe si vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për dëbimin e shqiptarëve nga vendi i tyre.

 

Paunović kishte deklaruar gjatë një interviste televizive se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe u dënua gjithashtu nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

 

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, **Marta Kos**, deklaroi se “nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon, promovon apo glorifikon spastrimin etnik”. Edhe zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, theksoi se një retorikë e tillë është e papranueshme.

 

Sveçla paralajmëroi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të prerë institucionale dhe ligjore.

Vendimi shënon një nga reagimet më të forta institucionale të Prishtinës ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë serbe për deklarata që lidhen drejtpërdrejt me spastrimin etnik dhe luftën e viteve 1998–1999 në Kosovë.

XS
SM
MD
LG