Lidhje


Krizë në LDK, Abdixhiku pezullon negociatat me Kurtin: Nisma për shkarkimin rrezikon marrëveshjen për qeverinë

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pezulluar përkohësisht të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve, pasi brenda LDK-së u dorëzuan nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm dhe shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.

 

Në një mesazh drejtuar anëtarësisë dhe votuesve, Abdixhiku deklaroi se nuk mund të vazhdojë të negociojë në emër të LDK-së për sa kohë mandati i tij është vënë në diskutim. Ai tha se procedura e brendshme partiake tashmë mbivendoset mbi negociatat politike dhe paralajmëroi se kriza mund ta lërë Kosovën pa institucione, madje ta çojë drejt zgjedhjeve të reja në vjeshtë.

 

Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi deputeti Armend Zemaj dhe drejtuesi i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, dorëzuan mbi 150 nënshkrime për mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Nisma u ndërmor pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku LDK-ja doli e treta dhe fitoi 18 mandate. Sipas statutit, Kuvendi duhet të mbahet brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës.

 

Abdixhiku e cilësoi përplasjen si një “betejë për karrige”, por deklaroi se nuk do të tërhiqet nga përballja. Sipas tij, kriza e brendshme po shpërthen në momentin më të keq, pikërisht kur LDK-ja po zhvillonte bisedime për krijimin e institucioneve të reja.

 

Zhvillimi merr peshë të veçantë pasi, sipas burimeve të KOHËS, Abdixhiku, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kishin arritur një pajtim në parim për koalicionin qeverisës dhe ndarjen e posteve kryesore. LDK-ja pritej të merrte kryetarin e Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe tri ministri, ndërsa Vetëvendosje do të propozonte kandidatin për president. Marrëveshja nuk ishte zyrtarizuar pikërisht për shkak të përçarjeve brenda LDK-së.

 

Avdullah Hoti reagoi duke deklaruar se askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj. Arben Gashi e paraqiti nismën si ushtrim të demokracisë së brendshme dhe kërkesë për përgjegjësi politike pas tri proceseve zgjedhore. Ndërkohë, nënkryetari Lutfi Haziri tha se nënshkrimet do të verifikohen, ndërsa Abdixhiku vazhdon të mbajë kompetenca të plota deri në një vendim të organeve partiake.

 

Në këtë mënyrë, beteja për drejtimin e LDK-së rrezikon të bllokojë jo vetëm marrëveshjen me Vetëvendosjen, por edhe gjithë procesin për formimin e Qeverisë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe sigurimin e kuorumit për presidentin.

XS
SM
MD
LG