Vuçiç kërcënon publikisht: “Kosova është Serbi, po vijnë ditë më të vështira”
Pas deklaratës së ministres serbe që shprehu dëshirën për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u dërgoi një mesazh të fortë Forcave të Armatosura serbe, duke theksuar se i presin “ditë më të vështira”. Gjatë ceremonisë së gradimit të kadetëve të rinj në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviq” në Banjicë, Vuçiç deklaroi se Kosova mbetet pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe bindjeve të tij.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit. Ne duhet ta kujtojmë këtë dhe ta mbrojmë atë shenjtëri, pa prekur askënd, pa sulmuar askënd, pa kërcënuar askënd, por duke qenë gjithmonë pranë popullit tonë”, u shpreh ai.
Presidenti serb sulmoi gjithashtu marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se ajo është e drejtuar kundër Serbisë.
“Ata po formonin aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kuptuam këto lëvizje dhe filluam të bëjmë atë që ishte e nevojshme. Në këtë kohë trazirash dhe mungese të zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, ju jeni garantuesit e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Serbisë. Ditë përgjegjësie ju presin, ditë më të vështira po vijnë. Për këtë jeni trajnuar”, tha Vuçiç para kadetëve.
Në fjalën e tij, Vuçiç vlerësoi edhe fuqizimin e ushtrisë serbe, duke deklaruar se kapacitetet e saj ushtarake nuk krahasohen me ato të asnjë vendi tjetër në rajon. Në fund të ceremonisë, ai dekoroi kadetët më të suksesshëm të Akademisë Ushtarake, duke u dorëzuar shpatat e oficerëve me një dedikim personal.
Deklaratat e Vuçiç vijnë në një kohë kur situata e tij politike nuk është në ditët më të mira, pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Nga ana tjetër Vuçiç ka bërë shpesh nxitje për destabilizimin e rajonit, që në shumicën e rasteve i kanë shërbyer vetëm për të forcuar pozitat e brendshme, sesa në fakt ka qenë një kërcënim real për fqinjët ballkanik. Deklaratat e ministers serbe, që foli për spastrim etnik, u dënuan ashpër nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian, por edhe nga Tirana e Prishtina Zyrtare.
Serbia pritet që të shkojë brenda 3-4 muajsh në zgjedhje të parakohshme, ndërsa vetë Vuçi planifikon të japë dorëheqjen nga posti i presidentit përpara zgjedhjeve. Më pas ai mund të kandidojë për postin e kryeministrit, pasi Kushtetuta nuk i lejon një mandat të tretë si president.