Lidhje


Vuçiç kërcënon Kosovën me devijimin e Ibrit

 

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke bërë të ditur se janë angazhuar ekspertë dhe inxhinierë për të analizuar një skenar të tillë. Ai e lidhi idenë drejtpërdrejt me situatën e serbëve në Kosovë dhe deklaroi se Beogradi do të shohë “çfarë do të bëjnë shqiptarët” nëse Serbia vendos të veprojë.

 

Deklarata është veçanërisht e ndjeshme për shkak të rolit të Ibrit në furnizimin e Ujmanit/Gazivodës dhe sistemit Ibër–Lepenc, të rëndësishëm për furnizimin me ujë dhe energjinë në Kosovë. Vuçiq nuk ka njoftuar ende një vendim konkret apo nisjen e punimeve, por rikthimi i idesë shënon një përshkallëzim të retorikës së Beogradit ndaj Prishtinës.

 

Presidenti serb tha gjithashtu se Serbia do të veprojë sipas interesave të saj si “shtet sovran”, ndërsa përjashtoi si opsion aktual një përballje ushtarake me NATO-n.

XS
SM
MD
LG