Lidhje


Deputeti ukrainas sfidon Zelenskyyn: “Ukraina duhet ta njohë Kosovën”

 

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka kritikuar presidentin Volodymyr Zelenskyy për deklaratën e bërë gjatë vizitës në Beograd, ku ai rikonfirmoi se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës. Goncharenko e cilësoi këtë pozicion si një “gabim diplomatik” dhe deklaroi se do të vazhdojë të kërkojë njohjen e Kosovës nga Kievi.

 

Në reagimin e tij në X, deputeti shkroi se, sipas tij, ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe se Ukraina duhet ta njohë atë si shtet. Ai publikoi gjithashtu fotografinë e heqjes së sloganit “Free Ukraine” nga Hotel Grand në Prishtinë, duke e lidhur reagimin me deklaratën e Zelenskyyt në Serbi.

 

Goncharenko ka mbajtur prej vitesh një qëndrim të ndryshëm nga politika zyrtare e Kievit për Kosovën. Në vitin 2022 ai paraqiti në parlamentin ukrainas një nismë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ka vijuar publikisht ta mbështesë këtë kërkesë.

 

Zelenskyy, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Beograd, deklaroi se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve të saj dhe se politika ndaj Kosovës “nuk ka ndryshuar”. Serbia, nga ana tjetër, rikonfirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë territoret e pushtuara nga Rusia që prej vitit 2014.

XS
SM
MD
LG