Lidhje


Plas në Kosovë, deputetët përplasen fizikisht – Gërvalla: Kemi kohë deri më 6 shtator

 

Tensionet politike në Kosovë u përshkallëzuan këtë të mërkurë në Kuvend, ku përplasja për vazhdimin e seancës konstituive kaloi nga debatet e forta verbale në incidente fizike mes deputetëve, ndërsa Donika Gërvalla solli një interpretim të ri për afatin e konstituimit të institucionit.

 

Gjatë aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, deputetë të PDK-së dhe Aleancës kërkuan thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive, duke brohoritur “Thirreni seancën”. Situata u tensionua më tej kur deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku shtyu deputetin e Vetëvendosjes Adnan Rrustemi, ndërsa ndërhyrja e deputetëve të tjerë shmangu një përshkallëzim më të madh.

 

Përplasje pati edhe mes deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi, dhe Arbërie Nagavcit të Vetëvendosjes, ndërsa Ganimete Musliu e PDK-së hodhi ujë në drejtim të Donika Gërvallës. Incidentet ndodhën në një atmosferë të tensionuar, me opozitën që insistonte se Kuvendi duhet të konstituohet menjëherë dhe se nuk ka më hapësirë për zvarritje.

 

Në të njëjtën kohë, Donika Gërvalla deklaroi se, sipas interpretimit të Vetëvendosjes, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe se ai zgjat deri më 6 shtator.

 

Gërvalla e bëri deklaratën gjatë një debati me deputetin e PDK-së Përparim Gruda, duke argumentuar se afati duhet të llogaritet nga nisja e seancës konstituive më 6 gusht.

 

“I kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ky është interpretimi ynë”, deklaroi Gërvalla, duke e paraqitur 6 shtatorin si afatin deri kur, sipas VV-së, Kuvendi mund të konstituohet.

 

Ky interpretim kundërshtohet nga opozita dhe nga ekspertë juridikë, të cilët argumentojnë se afati 30-ditor duhet të llogaritet nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve më 8 korrik dhe se ai ka përfunduar më 7 gusht.

 

Eksperti i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka argumentuar se afati tashmë është shkelur, por se kjo nuk e heq detyrimin e deputetëve për të vazhduar dhe përfunduar konstituimin e Kuvendit.

 

PDK dhe Aleanca po kërkojnë vazhdimin e menjëhershëm të seancës, ndërsa Vetëvendosje e lidh zgjidhjen e ngërçit edhe me arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë politike.

 

Përplasja për mënyrën se si duhet interpretuar afati kushtetues po e thellon edhe më tej krizën institucionale në Kosovë. Debati, që deri tani ishte zhvilluar kryesisht në plan politik dhe juridik, këtë të mërkurë kaloi edhe në përplasje fizike mes deputetëve, duke e bërë situatën në Kuvend edhe më të tensionuar.

XS
SM
MD
LG