14 OJQ çojnë krizën e Kosovës në Kushtetuese: A është shkelur afati 30-ditor?
Ngërçi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka kaluar tashmë edhe në planin kushtetues. Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sqarim dhe veprim lidhur me zbatimin e afatit për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Organizatat argumentojnë se rezultatet e zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik dhe se, sipas interpretimit të tyre, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, pa u zgjedhur të gjitha organet drejtuese të legjislativit.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses kërkohet të vlerësohet nëse është respektuar aktgjykimi i saj dhe nëse institucionet kanë përmbushur detyrimet që burojnë prej tij. Nëse konstatohet moszbatim, organizatat kërkojnë që Gjykata të ndërmarrë veprimet që i lejon kuadri i saj ligjor dhe procedural.
Çështja bëhet edhe më e ndërlikuar nga interpretimet e kundërta politike. Vetëvendosje pretendon se afati mund të llogaritet nga nisja e seancës konstituive dhe se Kuvendi mund të konstituohet deri më 6 shtator, ndërsa opozita dhe ekspertë juridikë argumentojnë se 30-ditëshi ka përfunduar tashmë.
Kështu, përplasja që deri tani zhvillohej mes partive politike po zhvendoset edhe në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila tashmë kërkohet një përgjigje për një nga pikat më të debatueshme të krizës: a është shkelur afati për konstituimin e Kuvendit dhe çfarë ndodh më tej?