Uashingtoni hyn në lojë për Ibrin: mesazh pas kërcënimeve të Vuçiqit
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë që Serbia të shqyrtojë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër. Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten prioritete të SHBA-së, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë objektiv me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, ishte mesazhi i DASH-it pas deklaratës së Vuçiqit, i cili kishte thënë se Beogradi mund të shqyrtojë ndërhyrjen në rrjedhën e Ibrit, duke shtuar: “Të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët pastaj”.
Edhe Bashkimi Evropian reagoi ndaj retorikës së presidentit serb. Zëdhënësja për çështjet e jashtme Annita Hipper tha se deklarata të tilla nuk ndihmojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, duke rikujtuar se ky proces është kusht për përparimin evropian të të dyja palëve. BE-ja, megjithatë, nuk paralajmëroi masa konkrete ndaj Serbisë.
Kështu, deklaratat e Vuçiqit për Ibrin kanë kaluar përtej reagimeve në Prishtinë dhe Tiranë, duke sjellë tashmë edhe reagimin e Uashingtonit dhe Brukselit, ndërsa çështja po vendoset gjithnjë e më fort në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi.