Lidhje


Vuçiç: Urën e Ibrit po e hap ai turku, komandant i KFOR-it, Rutte të mos e lejojë

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të kërkuar që Ura e Ibrit në Mitrovicë të mos hapet për qarkullimin e automjeteve.

 

Vuçiç e drejtoi kritikën posaçërisht ndaj komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, të cilit iu referua si “turku”, duke e akuzuar se po shtyn përpara hapjen e urës. Presidenti serb tha se do t’i kërkojë Rutte-s ndërhyrje për ta ndalur këtë proces, të cilin e cilësoi “turp” dhe “zhgënjim”.

 

Reagimi vjen pas përplasjes së hapur të Beogradit me KFOR-in për situatën në urë. Vuçiç kishte deklaruar më herët se Serbia kishte ndërhyrë kundër hapjes së saj, ndërsa bisedën mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm serb, Milan Mojsilović, dhe komandantit Ulutaş e cilësoi si ndoshta “më të keqen deri tani”.

 

KFOR-i ndërkohë ka nisur reduktimin gradual të pranisë së tij të përhershme në urën kryesore mbi Ibër, ndërsa çështja e hapjes së saj për automjete është rikthyer në një nga pikat kryesore të tensionit mes Beogradit, Prishtinës dhe aktorëve ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG