Zbulim tronditës në Kosovë/ Gjenden eshtrat e të paktën 23 personave
Një zbulim i rëndë është bërë sot në Zubin Potok, ku gërmimet në disa lokacione të dyshuara për varre masive kanë nxjerrë mbetje kockore që, sipas vlerësimit paraprak të ekspertëve mjeko-ligjorë, dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave. Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore njoftuan më 19 gusht se identiteti i viktimave do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave të identifikimit.
Gërmimet në zonën e Kalludrës së Vogël nisën në fund të korrikut pas një hetimi për krime lufte. Dyshimi kryesor është se mes mbetjeve mund të ndodhen ato të 23 shqiptarëve të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”, të zhdukur më 19 prill 1999. Megjithatë, kjo lidhje nuk është konfirmuar ende nga ADN-ja. Associated Press raportonte më 12 gusht se familjarët e personave të zhdukur po prisnin rezultatet e gërmimeve, ndërsa autoritetet vijonin kërkimet në zonë.
Hetimi penal është gjithashtu në zhvillim. Tre persona me inicialet J.R., M.J. dhe M.B. po hetohen nën dyshimin për “krime lufte kundër popullsisë civile” dhe ndodhen në paraburgim, sipas njoftimit të përbashkët të autoriteteve kosovare.