Witkoff: Për hapjen e urës së Ibrit vendos vetëm Kosova dhe BE-ja
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan George Wikoff, deklaroi se KFOR-i nuk ka mandat të vendosë për hapjen e plotë të urës kryesore mbi Ibër. Sipas tij, pas përfundimit të pranisë së përhershme të KFOR-it në urë, çështja do t'u takojë institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
KFOR-i konfirmoi se po zhvillon procesin e kufizimit gradual të pranisë së trupave në urë dhe kalimit të përgjegjësive te Policia e Kosovës, duke e lidhur këtë me përmirësimin e situatës së sigurisë. Misioni i NATO-s do të vazhdojë megjithatë të jetë i pranishëm në zonat përreth dhe të monitorojë zhvillimet.
Prishtina ka kërkuar prej kohësh hapjen e urës edhe për automjete, ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka quajtur “absurde” vazhdimin e mbylljes së saj. BE-ja kërkon koordinim mes institucioneve qendrore dhe komunave, si dhe garanci nga Policia e Kosovës për sigurinë e të gjitha komuniteteve.
Serbia kundërshton tërheqjen e KFOR-it. Presidenti Aleksandar Vuçiq i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ndalimin e procesit, duke pretenduar se largimi i trupave nga ura mund të rrezikojë serbët e veriut, argument që autoritetet kosovare e kanë hedhur poshtë.