Kosova në hapa të sigurta drejt progresit të gjithanshëm/Nënshkruan marrëveshje me vlerë 33 milionë euro me Bankën Evropiane për Investime
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Investime, me vlerë 33 milionë euro, për ndërtimin e një impianti fotovoltaik, raporton Anadolu. Në Qeverinë e Kosovës, para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky projekt, i cili është më i madhi jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, garanton zhvillimin e sektorit të energjisë si parakusht për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Murati tha se projekti ka të bëjë me zgjerimin e kapacitetit të energjisë elektrike me vlerë totale të investimit 100 milionë euro dhe do të zhvillohet me disa partnerë.
Përkatësisht, përmes kredisë investive në Bankën Evropiane për Investime në vlerë 33 milionë euro, grantit nga BE-ja përmes kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 32 milionë eurove si dhe kredisë me “KfW” në vlerë 29 milionë euro.
“Projekti në fjalë parasheh ndërtimin e impiantit fotovoltaik diellor në një kapacitet deri në 100 megavatë të prodhimit të energjisë elektrike. Dhe rëndësia e këtij projekti qëndron pikërisht në faktin se pas finalizimit të projektit impianti në fjalë do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 169 gigavatë energji në vit dhe të zëvendësojë deri 170 mijë tonë të dioksidit të karbonit në baza vjetore”, theksoi Murati.
Murati tha se kjo i ndihmon Kosovës të shkojë përpara në aspektin e dekarbonizimit dhe të shkojë përkitazi me agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian.
Shefja e Sektorit Politik në Zyrën e BE-së në Kosovë, Anna Carin Platon, tha se ky është projekti i parë solar në Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe do të zgjerojë rritjen e mëtutjeshme ekonomike të rajonit.
Sipas Platon, ky projekt e nxit integrimin evropian dhe është shumë i rëndësishëm për konvergjencën me BE-në.
“Është shumë i rëndësishëm për shkak se ndihmon në tranzicionin e KEK-ut dhe rajonit të Prishtinës dhe Obiliqit në rrugën drejtë dekarbonizimit. Po ashtu, do të mbështesë strategjinë e energjisë të miratuar nga Kosova si dhe caqet për ngritjen e rritjes së burimeve të ripërtërishme për prodhimin e energjisë”, theksoi Platon.
Në këtë ngjarje morën pjesë po ashtu edhe ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde, shefi për operime në Ballkanin Perëndimor dhe Türkiye nga Banka Evropiane për Investime Matteo Rivellini dhe shefi i Divizionit për Energji për Evropën Juglindore dhe Türkiyen në KfW Pablo Obrador Alvarez./Nga AA