Lidhje


Në mes të alarmit për veriun, KFOR ndërron komandë: Italiani Vergori zëvendëson Ulutaşin

 

Gjeneralmajori italian Roberto Vergori do të marrë këtë vjeshtë komandën e KFOR-it në Kosovë, duke zëvendësuar komandantin aktual turk, Özkan Ulutaş. Procesi i dorëzim-pranimit ka nisur tashmë në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë, ku Vergori po merr pjesë në programin përgatitor “Key Leader Training”. Ndërkohë, gjeneral brigade Onur Çakıcı nga Turqia është caktuar zëvendëskomandanti i ardhshëm i misionit.

 

Ndryshimi në krye të KFOR-it vjen në një periudhë të ndjeshme për sigurinë në Kosovë, veçanërisht në veri, ndërsa NATO po riorganizon praninë e saj dhe po redukton gradualisht disa detyra statike. KFOR-i ka theksuar se çdo ndryshim i pranisë së trupave do të bëhet mbi bazën e vlerësimeve të sigurisë dhe se misioni do të vazhdojë të garantojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

 

Transferimi zyrtar i komandës pritet të përfundojë në vjeshtë, kur Vergori do të marrë drejtimin e KFOR-it, ndërsa Ulutaş do të mbyllë mandatin e tij në krye të misionit të NATO-s në Kosovë.

XS
SM
MD
LG