Lidhje


Kurti dhe Abdixhiku hyjnë te emrat: Kush do të jetë presidenti konsensual i Kosovës?

 

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë diskutuar për herë të parë emra konkretë për një kandidat konsensual për president të Kosovës, gjatë një takimi mbi dyorësh pasditen e djeshme në Prishtinë.

 

Kurti tha se emrat e shqyrtuar përmbushin kriteret e dakorduara më herët për merita, kontribut kombëtar, shtetëror, profesional dhe qytetar, por sqaroi se personat e përmendur ende nuk janë pyetur nëse do ta pranonin kandidaturën. As Kurti dhe as Abdixhiku nuk bënë publik asnjë emër, duke theksuar se negociatat do të vazhdojnë.

 

Abdixhiku e cilësoi diskutimin si një hap përpara, duke deklaruar se shumica e emrave të propozuar janë në përputhje me parimet e dakorduara. LDK ka premtuar mbështetje për formimin e institucioneve pa kërkuar favore partiake, me kusht që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual.

 

LVV ndërkohë ka bërë të ditur se seanca për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë do të thirret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje e përgjithshme edhe për presidentin e ri.

XS
SM
MD
LG