Mali i Zi në alarm: “Vijesti” nxjerr Shqipërinë dhe Serbinë pas paralajmërimit për destabilizim
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ka deklaruar se autoritetet disponojnë “informacione serioze operative të sigurisë” për një veprimtari të koordinuar hibride që synon destabilizimin e vendit në një moment kyç të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, në këto aktivitete janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit dhe pritet mbështetje edhe nga aktorë politikë e segmente të medias brenda Malit të Zi.
Spajić nuk i përmendi publikisht shtetet, por gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar disa burimeve, raportoi se bëhet fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë. Sipas raportimit, qëllimi i pretenduar do të ishte krijimi i krizës së brendshme politike dhe ngadalësimi i rrugës evropiane të Malit të Zi. Vetë “Vijesti” thekson se këto janë vlerësime dhe informacione operative të sigurisë, jo fakte të provuara publikisht.
Pas deklaratave të Spajićit, presidenti Jakov Milatović thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke kërkuar sqarime konkrete nga institucionet kompetente. Ndërkohë, Tirana ka hedhur poshtë çdo përfshirje, duke deklaruar se Shqipëria “nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues” ndaj Malit të Zi.