Kurti nuk heq dorë nga marrëveshja me LDK-në: “Goditje e rëndë”, por Sejdiu mbetet kandidat, kemi 74 vota
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit ka marrë një “goditje të rëndë”, por nuk është zhvlerësuar dhe Bekim Sejdiu mbetet kandidati i dakordësuar mes dy partive.
Kurti tha se, pavarësisht kundërshtimeve të shfaqura brenda LDK-së, aktualisht ekzistojnë 74 vota për Sejdiun. “Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë sesa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president. Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, deklaroi ai pas takimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë.
Sipas Kurtit, marrëveshja LVV-LDK mbetet ende baza për shmangien e zgjedhjeve të reja. “Marrëveshja politike që kemi arritur ka marrë një goditje të rëndë, mirëpo nuk është zhvlerësuar. Është sukses i madh i dy subjekteve tona politike dhe ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve dhe forcimin e shtetit, e kanë shansin. E kjo është, emri i përveçëm që ka dalë nga marrëveshja politike, përkatësisht profesor Bekim Sejdiu”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime të reja me Kryesinë e Vetëvendosjes për të parë mundësitë e sigurimit të votave të nevojshme, ndërsa nuk pranoi të thotë nëse mund të propozohet një kandidat tjetër.
Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së u komplikua pasi gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër kandidaturës së Sejdiut. Kundër marrëveshjes janë shprehur gjithashtu PDK-ja dhe AAK-ja, të cilat së bashku kanë 29 deputetë shqiptarë. Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Në këtë situatë, 74 votat e pretenduara nga Kurti e lënë marrëveshjen gjashtë vota larg pragut të dy raundeve të para, ndërsa beteja politike tashmë përqendrohet te sigurimi i votave shtesë ose i kuorumit të nevojshëm për një raund të tretë. Sipas Kurtit, objektivi mbetet i njëjtë: zgjedhja e Sejdiut dhe shmangia e një cikli tjetër zgjedhjesh të jashtëzakonshme.