Gazi lotsjellës i kushton Sveçlës: dënohet me 1 vit burg me kusht
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me një vit burgim me kusht për përdorimin e gazit lotsjellës gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 21 mars 2018. Gjykata e kishte shpallur fajtor më 2 shtator për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa masa e dënimit u shpall këtë të martë.
Dënimi nuk do të vuhet në burg, nëse Sveçla nuk kryen një vepër tjetër penale gjatë periudhës provuese prej një viti. Ai nuk ishte i pranishëm në sallë kur u shpall dënimi. Prokuroria kishte kërkuar një masë dukshëm më të rëndë, dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar fajësinë.
Sveçla ishte akuzuar fillimisht edhe për “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, por kjo pjesë e aktakuzës u refuzua pasi kishte arritur parashkrimin absolut. Procedura ndaj tij ishte veçuar nga ajo ndaj të akuzuarve të tjerë në çështjen e gazit lotsjellës.