Daçiç: Open Ballkan ishte nismë e Vuçiçit
Vërejtjet e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk e ndalën Serbinë. Ministri i jashtëm Ivica Daçiç, që ndodhet në Moskë, pas platformës politike, po i ofron presidentit rus, Vladimir Putin, dhe një tjetër ekonomike. Kryediplomati serb është takuar me ministrin rus për zhvillim ekonomik, Maksim Reshetnikov. Ata diskutuan për thellimin e bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe të biznesit, ndërsa Serbia konsiderohet si ndër shtetet e botës që ndihmojnë Putinin në shmangien e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.
“Do të gjejmë zgjidhjet e duhura për çdo sfidë”, theksoi Daçiç pas takimit. Ministri i jashtëm serb u prit në Moskë fillimisht nga homologu rus, Sergej Lavrov, me të cilin diskutoi dhe për Kosovën.
Ata e vlerësuan situatën në Ballkan shumë të komplikuar, ndërsa Lavrov pretendoi se Federata Ruse nuk e interesuar për luftë në rajonin tonë. Për takimin e tyre reagoi Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se Serbia nuk duhet t’i ofrojë Putinit një platformë për të promovuar apo arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme kundër Ukrainës.
Daçiç shkoi në Moskë me ftesë të Lavrovit, me të cilin ndoqi atë që e konsideruan vëllazërore futbolli mes kombëtareve respektive, që përfundoi me fitoren e rusëve.
Në stadium u dëgjuan dhe kore provokuese të tilla si “Kosova është Serbi”. Ndërkohë, në mbrojtje të Rusisë ka dalë dhe ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriç. Ky i fundit i ka dërguar një letër “Wall Street Journal” në përgjigje të opinionit me titull “Rusia dëshiron luftë në Ballkan”, duke pretenduar se Beogradi e urren idenë e një konflikti tjetër rajonal.
Për të mbrojtur qëndrimin e tij, Gjuriç përdori dhe Ballkanin e Hapur, duke theksuar se është një nismë e krijuar, promovuar dhe zhvilluar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, siç thotë ambasadori, për të nxitur bashkëpunimin rajonal./Lapsi.al