Pushteti mbetet në familjen Dodik! Djali i Miloradit mandatohet për qeverinë e Republikës Sërpska!
Igor Dodik, djali i liderit nacionalist serb të Bosnjës, Milorad Dodik, është mandatuar për formimin e qeverisë së re të Republikës Sërpska, entitetit me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Vendimi u shpall më 22 nëntor nga presidenti i entitetit, Savo Miniq, pas konsultimeve me partitë politike. Igor Dodik, sekretar organizativ i SNSD-së, partisë së drejtuar nga babai i tij, pritet të formojë kabinetin deri në mesin e dhjetorit.
Emërimi shënon një zhvillim të rëndësishëm në strukturën e pushtetit të Republikës Sërpska, ku Milorad Dodik ruan drejtimin e partisë dominuese, ndërsa djali i tij synon të marrë drejtimin e qeverisë. Në deklaratën e parë si mandatar, Igor Dodik premtoi transparencë, zhvillim ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit me Serbinë, ndërsa theksoi se marrëdhëniet me Bashkimin Europian do të varen nga respekti që Brukseli do të tregojë ndaj entitetit serb. Qeveria e re duhet të marrë miratimin e Kuvendit Popullor brenda afatit kushtetues prej 40 ditësh.