“Greqia do të zgjerohet!” Athina kujton 12 miljet dhe minoritetin, Hoxha hesht për Çamërinë!
Greqia rikonfirmon pretendimet për zgjerimin e ujërave territoriale deri në 12 milje detare, ndërsa diplomacia shqiptare zgjedh të theksojë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë me Athinën. Vetëm dy ditë përpara takimit me ministrin shqiptar Ferit Hoxha, kryediplomati grek, Giorgos Gerapetritis, deklaroi për gazetën Ta Nea se zgjerimi i ujërave territoriale është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë, që do të ushtrohet në kohën dhe mënyrën që Athina e konsideron të përshtatshme. “Greqia është zgjeruar dhe do të vazhdojë të zgjerohet”, u shpreh ai, në një kohë kur kufiri detar me Shqipërinë mbetet ende i pazgjidhur.
Por zhvillimi më domethënës erdhi më 23 nëntor, pas takimit të Gerapetritisit me Ferit Hoxhën në Athinë. Ministria e Jashtme greke njoftoi se, përveç perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, Gerapetritis kishte theksuar nevojën për respektimin e shtetit ligjor dhe të të drejtave të minoriteteve, në përputhje me legjislacionin europian. Një mesazh diplomatik konkret, që pasqyron përparësinë që Athina u jep çështjeve të minoriteteve në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ndërkohë, në njoftimin e diplomacisë shqiptare mbizotëronte një panoramë krejt tjetër. Ferit Hoxha foli për partneritet strategjik, miqësi, dialog konstruktiv, fqinjësi të mirë dhe të ardhme të përbashkët europiane, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen greke ndaj integrimit të Shqipërisë në BE. Por në deklaratën e tij publike nuk pati asnjë referencë konkrete për çështjen çame, për kufirin detar ende të papërcaktuar apo për kërkesën greke lidhur me të drejtat e minoriteteve.
Kontrasti mes dy qëndrimeve publike ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si diplomacia shqiptare i paraqet interesat e saj në marrëdhëniet me Athinën. Ndërsa pala greke artikulon hapur përparësitë e saj kombëtare, Tirana kufizohet në mesazhe bashkëpunimi dhe mirënjohjeje, pa bërë publike ndonjë kërkesë për çështjet historike dhe territoriale që mbeten të hapura mes dy vendeve.
Çështja e kufirit detar vazhdon të jetë e pazgjidhur që prej rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e marrëveshjes së vitit 2009. Edhe pse në vitin 2020 palët ranë dakord në parim t'i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ky proces nuk është finalizuar. Greqia, ndërkohë, e realizoi në vitin 2021 zgjerimin në 12 milje në pjesën përkatëse të Detit Jon, ndërsa deklaratat e fundit të Gerapetritisit nuk përbëjnë një vendim të ri për ndryshimin e kufirit me Shqipërinë.
Në fund, mbetet një kontrast politik që kërkon shpjegim: Athina flet publikisht për interesat, të drejtat dhe zgjerimin e saj detar, ndërsa Tirana nuk sqaron se çfarë ka kërkuar konkretisht për interesat shqiptare. Kjo nuk provon se çështja çame apo ajo e detit nuk janë diskutuar gjatë takimit, por tregon se diplomacia shqiptare nuk i ka përfshirë ato në njoftimin e saj zyrtar.