Kurti: Kosovës t’i hiqen masat, uroj që vendet anëtare të BE-së ta dëgjojnë Borrellin se e kanë shef
Tuesday, 25 June 2024 17:19
Kryeministri Albin Kurti tha se shpreson dhe uron që vendet anëtare të Bashkimit Europian ta dëgjojnë shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe t’ia heqin Kosovës masat ndëshkuese. Kurti tha se qëndrimin e Borrell, i cili rekomandoi që Kosovës t’i hiqen masat, “duhet ta ndjekin të gjitha shtetet anëtare”.
“Besoj që qëndrimin e qartë, të cilin duhet ta ndjekin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e ka dhënë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian. Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë që edhe ato arsye dikur të konsideruara për masa ndaj Kosovës, nuk ekzistojnë më.
Është parë që ka ndodh deeskalimi në verën e vitit 2023, ka ndodhur rieskalimi për shkak të sulmit paramilitar terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe gjithashtu, duhet theksuar që Kosova e ka bërë udhëzimin administrativ, që ka mundësuar mbledhjen e peticionit në veri ku katër komunat i kanë mbledhur 20% të trupit elektoral si nënshkrime, mirëpo më pastaj, më 23 prill ata bojkotuan zgjedhjet që ne i ofruam për ta ndërprerë mandatin e 4 kryetarëve në veri”, tha Kurti.
Ai tha para gazetarëve se Kosova e ka kryer punën e saj.
“Nga ana e Kosovës gjithçka është kryer, zbatuar për normalizim, për deeskalim prandaj e keni atë sugjerim të zëvendëspresidentit Josep Borrell, të cilin unë shpresoj e uroj që vendet anëtare, të cilat në njëfarë mënyre e kanë shef të politikës së përbashkët të Bashkimit Evropian të sigurisë dhe asaj të jashtme ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin e seriozitetin më të lartë”, tha Kurti.
Në BE nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura vitin e kaluar ndaj Kosovës, ndërsa u raportua për mundësinë që ato të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.
Shumica e shteteve të BE-së u raportua se ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç edhe ka rekomanduar Borrell në raportin të cilin ua dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, por ende nuk ka vendim./rtvbesa