Lidhje


Shtëpitë kontejner të dërguara nga Turqia mbërrijnë në zonën e përmbytjeve në Bosnjë e Hercegovinë

Pas katastrofës së përmbytjeve në Bosnjë e Hercegovinë, pesë kamionë me shtëpi kontejner të dërguara nga Türkiye u dorëzuan në zonën e fatkeqësisë, raporton Anadolu. Ndihmat e dërguara nga Türkiye kanë nisur të shpërndahen për ata që humbën shtëpitë e tyre nga përmbytjet që ndodhën si pasojë e shiut të dendur më 4 tetor në vend dhe shkaktuan humbje jetësh.

 

Pas përmbytjeve në Konjic dhe Jabllanicë, pesë kamionë me materiale jetese për strehimin e përkohshëm të banorëve të Bosnjë e Hercegovinës, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan, mbërritën në zonën e fatkeqësisë.

 

Ambasadori turk në Sarajevë, Sadık Babür Girgin, zëvendëskryetari i AFAD-it, Hamza Taşdelen, si dhe kryetari i Komunës së Konjicit, Osman Çatiq, i pritën kontejnerët e banimit të ardhur nga Türkiye.

 

Girgin, në një deklaratë për Anadolu, tha se menjëherë pasi e kanë marrë lajmin e fatkeqësisë, ekipi i TIKA-s në BeH ka bërë ekzaminime në terren.

 

Ai tregoi se edhe vetë, ditën e parë, së bashku me ekipin e TIKA-s ka mbërritur në zonën e përmbytjes. "Në terren, Türkiye ishte e para. Kjo është tregues i vëllazërisë sonë", tha ambasadori turk.

 

Taşdelen, nga ana e tij, tha se pa pritur ndonjë thirrje për ndihmë kanë ardhur në Bosnjë e Hercegovinë. "Grupi i parë i dërgesës i përbërë prej pesë kamionësh, zbarkoi në vend. Një dërgesë totale prej 31 kamionësh, 30 prej të cilëve bartin kontejnerë dhe një nga kamionët transporton materiale të tjera si gjeneratorë", theksoi ai.

 

Ndërkaq, Çatiq falënderoi Republikën e Türkiyes për ndihmën e shpejtë. "Thirrja ime për të gjithë ata që duan të ndihmojnë është të punojnë nëpërmjet institucioneve të shtetit, siç bën Republika e Türkiyes. Në këtë mënyrë, ndihma do t'u arrijë atyre në nevojë sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi Çatiq./AA

XS
SM
MD
LG