Protestë e dhunshme në Serbi pas tragjedisë me 14 të vdekur, shkatërrohet bashkia në Novi Sad
Me mijëra serbë kanë zhvilluar një protestë madhështore këtë të enjte në Novi Sad të Serbisë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur javën e kaluar kur humbën jetën 14 persona pasi u shemb tarraca e stacionit të trenit.
Protesta nisi e qetë, por më pas situata ndryshoi shpejtë dhe protestuesit iu drejtuan godinës së bashkisë, ku qëlluan me gurë duke i thyer xhamat. Mediat serbe shkruajnë se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e deputetëve për ngjarjen e rëndë.
Theksojmë se ministri i Ndërtimit në Qeverinë e Serbisë, Goran Vesiq, sot në mëngjes ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen të cilën e ka bërë të ditur në konferencën e mbrëmshme për media.Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç prej zyrës së tij ka reaguar duke pohuar se protestuesit kanë “të drejtë të sillen si të pamoralshëm në vendin tonë, është e lejuar. Ju keni të drejtë të jeni të pamoralshëm, por nuk keni të drejtë të rrezikoni të tjerët.
"Mesazhi im është që policia po tregohet shumë e përmbajtur, por mos mendoni se dhuna është e lejuar. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë do të ndëshkohen dhe do të ndiqen nga shteti”, tha Vuçiç.
Ndërkohë, policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe në fund të protestës arrestoi me dhjetëra persona./SYRI.net