Musk konfirmon funksionalizimin e Starlink-ut në Kosovë - çfarë do të thotë kjo?
Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës. Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se ardhja e Starlink-ut është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend. “Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, tha ai në Facebook.
Në tetor, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.
Çfarë do të thotë kjo?
Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.
Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.
Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.
Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, kishte thënë në nëntor për Radion Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un ishte hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.