Zëvendëskryeministri Bislimi tha se tani shtetasit kosovarë mund të udhëtojnë me pasaportë edhe në Spanjë, pa nevojën për të pasur vizë.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se edhe Spanja i është shtuar listës së vendeve që i njeh pasaportat e Kosovës, transmeton Anadolu. Bislimi, nëpërmjet rrjeteve sociale, tha se tani shtetasit kosovarë mund të udhëtojnë me pasaportë edhe në Spanjë, pa nevojën për të pasur vizë.
Sipas zëvendëskryeministrit kosovar, ka qenë Drejtoria e Përgjithshme për Migrim dhe Punët e Brendshme të Bashkimit Evropian (DG Home) ajo e cila ka njoftuar se Spanja i njeh pasaportat e Kosovës.
“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, ka shkruar Bislimi.
Tutje, Bislimi shtoi se “do të vazhdohet puna për të sjellë lajmë të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”. Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE) e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Zbatimi i vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët filloi nga 1 janari 2024.
Burimi: Anadolu Ajansi