Lidhje


Grenell kundërshton Kurtin: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA s'kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët

Emisari për Misione të Posaçme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Richard Grenell, e ka quajtur delirant kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të deklaratës së tij mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA. 

 

Të enjten, kryeministri Kurti i cili aktualisht është në garë zgjedhore për t'u riemëruar si kryeministër, në një televizion lokal, ka thënë se Kosova kurrë nuk i ka pasur raportet më mirë se sa gjatë qeverisjes së tij.

 

Kurti tha se gjatë qeverisjes së tij Kosova e ka marrë grantin më të madh ndonjëherë nga SHBA-ja e gjithashtu Kosova po blenë nga ajo edhe helikopterë dhe ka avancim të raporteve në aspektin diplomatik dhe në mbrojtje.

 

Por, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se “marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët”.

 

“Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trumpit, administrata e Bidenit, NATO-ja, BE-ja, Ambasada amerikane, Anthony Blinken, etj”, ka shkruar Grenell në rrjetet sociale, derisa ka bashkangjitur deklaratën e Kurtit me foto, e cila thotë: “Albin Kurti i përgjigjet Grenellit: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të mira se kurrë”.

 

Polemikat midis Grenellit dhe Kurtit nisën ditë më parë kur Grenell fillimisht i reagoi Kurtit se deklarata e këtij të fundit për “marrëdhëniet e mira me SHBA-në” janë mashtrim.

 

Madje, Grenell shkroi më 3 shkurt se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit”.

 

Kurti të enjten në televizionin lokal tha se “nganjëherë ka kritika e vërejtje, por duhet të ecim përpara”./AA

XS
SM
MD
LG