Përfundoi numërimi, LVV fitoi bindshëm më së shumti vota
Thursday, 06 March 2025 15:19

Pas gati një muaji, më në fund u numëruan të gjitha votat e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Tani kanë mbetur edhe dy ditë për ankesa dhe parashtresa. Pas këtij afati shpallen zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve, por pas numërimi të të gjitha votave, rezultatet janë këto.
Lista e Vetëvendosjes së bashku me Guxo dhe Alternativën ka fituar bindshëm më së shumti vota në këto zgjedhje, me 42.28% të votave. Kjo parti ka siguruar 48 mandate.
Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96%. Kjo parti do të ketë 24 mandate në Parlament.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e treta me 18.43%, që do të thotë se ajo do të ketë 20 mandate.
Ndërsa koalicioni AAK/Nisma ka fituar 7.08% të votave, që atyre u siguron 8 mandate në Parlamentin e Kosovës.
Pesë prej tyre do t'i ketë AAK, ndërsa tre deputetë do të ketë Nisma.
Në Parlamentin e Kosovës, i cili numëron 120 mandate, 20 prej tyre janë të rezervuara për minoritetet: 10 për minoritetin serb dhe 10 për të tjerat.
Për krijimin e qeverisë nevojiten 61 vota.
LVV ka fituar të drejtën e postit të kryetarit të Kuvendit, si partia me numrin më të madh të votave.
LVV e ka fituar edhe të drejtën që e para të provojë të krijojë koalicionin e ri qeverisës. Por për dallim prej zgjedhjeve të kaluara ku kishte fituar më shumë se 50% të mandateve, tani i duhet ndonjë partner për koalicion.
Ekzistojnë disa mundësi për krijimin e qeverisë - me ndonjë parti me deputetë shqiptarë, apo dhe vetëm me minoritetet. Por këtë duhet ta vendosë vetë LVV.
Nëse kandidati i parë nuk arrin të krijojë qeverinë, atëherë presidentja ka të drejtë ta nominojë një kandidat tjetër "që mund të sigurojë votat e mjaftueshme" për krijimin e qeverisë.
Ky kandidat mund të jetë prapë nga LVV, por mund të jetë edhe nga ndonjë parti tjetër që e siguron shumicën e votave në Parlament.
Urime fituesve dhe shpresojmë krijimin sa më të shpejtë të institucioneve./Bahri Cani