Për 100 ditë Maqedonia e Veriut do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar
Për 100 ditë Maqedonia e Veriut do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar, falë një marrëveshjeje që Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev nënshkruan për koalcionin BDI-LSDM 4 vite më parë. Ndryshe nga Dritan Abazoviç, politikani shqiptar që drejtoi Malin e Zi, kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi nuk është një emër që vjen surprizë në politikë. Ndërkohë Dimitar Kovaçevski dha dorëheqjen sot nga posti i kryeministrit duke i hapur rrugë qeverisë teknike që do të drejtohet nga Talat Xhaferi deri në zgjedhjet e 8 Majit të këtij viti.
Në 4 vitet e shkuara ai ka mbajtur postin e kreut të parlamentit si përfaqësues i BDI-së së Ali Ahmetit dhe vjen nga një karrierë e gjatë politike, që nisi pas luftës së vitit 2002 të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Pjesë e qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, VMRO DPMNE-ja që do të udhëheqë dy ministri, atë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe me tri poste të zëvendësministrave.
Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk do ta votojë Talat Xhaferin për kryeministër të Qeverisë teknike.
“Ne do të jemi në sallën e Kuvendit, por do të jemi të përmbajtur, nuk do të votojmë pasi vlerësojmë se Talat Xhaferi nuk meriton të votohet për drejtimin e kësaj qeverie”, ka deklaruar Mickoski, që e ka quajtur qeverinë e xhaferit si “qeveri e konflikteve”.
Ditën e sotme, Xhaferi shpërndau një mesazh për dorëheqjen si kryetar i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, post që e ka mbajtur prej 8 vitesh.
“Me ndjenjë krenarie dhe të përmbushjes, sepse në të dyja mandatet isha Kryetari i të gjithë deputetëve dhe qytetarëve; punoja me përgjegjësi, me profesionalizëm, në mënyrë të pavarur dhe me llogaridhënie. Ashtu edhe do të vazhdoj në sfidën e radhës” është shprehur ai.
Talat Xhaferri u zgjodh për herë të parë kryetar i parlamentit të Maqedonisë në vitin 2017.
Emri i tij nuk kundërshtua fort nga VMRO-DPMNE, pasi ishte hera e parë që një shqiptar merrte një post kaq tq rëndësishëm. Në prill të atij viti parlamenti maqedonas u përfshi nga dhuna dhe tensionet nga ekstremistë antishqiptarë.
Por kush është Talat Xhaferi që u zgjodh kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë? Duhet thënë se Xhaferi vjen nga radhët e ushtrisë. Karriera e tij ka nisur në Armatën e Jugosllavisë dhe më pas ai është bërë pjesë e Armatës së Maqedonisë.
Pasi ka mbaruar shkollën fillore fshatin e tij të lindjes, 62-vjeçari është larguar herët nga shtëpia drejt Beogradit, ku ka kryer gjimnazin ushtarak. Pas kësaj studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë të Jugosllavisë sërish në Beograd dhe më pas Sarajevë.
Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj. Pas pavarësisë se Maqedonisë, Talat Xhaferi kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, si oficer i lartë dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina.
Pas luftës u përfshi në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013. Në përgatitjen e fundit profesionale shkruan se ai ka mbrojtur titullin e magjistrit të mbrojtjes, në Fakultetin filozofik, Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”,.
Nga/Lapsi.al