Lidhje


Kosovë, bastiset organizata joqeveritare serbe për "veprimtari të jashtëligjshme"

Autoritetet shtetërore të Kosovës kanë bastisur hapësirat e organizatës joqeveritare serbe “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” mbi aktivitetin e saj të dyshimtë, transmeton Anadolu. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka konfirmuar se organizata “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e organizatave joqeveritare.

 

 

“Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je. Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, shkroi ministri Sveçla.

 

Ministri kosovar tha se Kosova është shtet unitar me të drejta e shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim dhe se “ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”.

 

Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se dyshohet se në këtë objekt ishin duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.

 

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt”, thuhet në njoftim.

 

Hapësirat e kësaj organizate ndodhen ngjitur me hyrjen e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

 

Nga AnadoluA

XS
SM
MD
LG