Shqiptarët dhe “priftërinjtë” në të njëjtën bandë: Trafikonin drogë dhe emigrantë në Greqi
Një 40-vjeçar grek, i njohur si Vasilis Vezyreas, i cili në rrjete sociale prezantohej si “Kryepeshkop i Athinës dhe i gjithë Greqisë i Paleo-Otologëve”, është arrestuar në Rodos me dy kilogramë kokainë. I njëjti person është një ish-model dhe youtuber, që në të kaluarën ka mbajtur post kishtar me emrin Ati Parthenios, por është shkarkuar nga Kisha e Greqisë në vitin 2002 për sjellje të papërshtatshme.
Sipas Policisë Greke, 40-vjeçari ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikim droge dhe transport të paligjshëm emigrantësh. Ai kishte krijuar një imazh publik si klerik dhe përdorte rrjetet sociale për të fituar popullaritet, ndërsa në prapaskenë bashkëpunonte me një grup të strukturuar që operonte në disa rajone të vendit.
Hetimet zbuluan se grupi kriminal përbëhej nga të paktën tetë persona, mes të cilëve edhe një çift shqiptar, 52 dhe 42 vjeç, që konsiderohen udhëheqësit e organizatës. Sipas dosjes hetimore, ata kishin krijuar dy struktura të ndara, të specializuara për ruajtjen, fshehjen dhe shpërndarjen e drogës, si dhe për trafikimin e emigrantëve.
Pjesëtarët e grupit përdornin objekte fetare si vendstrehim për lëndët narkotike, përfshirë një kishë në rrugën Liosion në Athinë, ku janë gjetur sasi droge të fshehura.
Në operacionet e zhvilluara në Atikë dhe Rodos, policia greke arrestoi tetë persona, ndërsa një tjetër ndodhet tashmë në burg për vepra të ngjashme. Gjatë kontrolleve u sekuestruan: 2,2 kilogramë kokainë, mbi 9 kilogramë kanabis të papërpunuar, 14 pako me preparate farmaceutike, 9 telefona celularë, 4 peshore precize, një pajisje ndërhyrjeje në sinjalin celular (jammer), rreth 4,380 euro dhe 24,500 lekë, si dhe 4 automjete të përdorura për transport.
Sipas hetimeve, përfitimi financiar i organizatës llogaritet të jetë mbi 105 mijë euro, ndërsa 7 nga 8 të arrestuarit rezultojnë me dënime të mëparshme për vepra penale të ngjashme.
Të gjithë të pandehurit pritet të dalin para Prokurorit të Rodosit më 11 nëntor, për t’u përballur me akuzat e trafikimit të drogës, pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe trafikimit të paligjshëm të emigrantëve.