Lidhje


Ambasadori i SHBA-ve kërcënon: Nëse Kurti nuk na dëgjon do ketë pasoja në partneritetin me SHBA

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha në një intervistë për RTV21 se qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore që ndalon dinarin serb. Ai tha se as SHBA dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk po e kontestojnë autoritetin e Bankës Qendrore dhe as Kushtetutën e Kosovës, por janë të shqetësuara me mënyrën se kjo planifikohet të zbatohet pas marrë parasysh disa realitete.

 

 

“Mendoj se krejt ç’ka mund të bëj është të flas për kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Para së gjithash, më lejoni të sqaroj disa gjëra. Kërkesa jonë është shumë e qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë, jo vetëm unë, ka kërkesa edhe nga Uashingtoni, por edhe kolegët e mi të QUINT-it e kanë këtë pikëpamje, që qeveria tani për tani do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore.

 

 

Po e kërkojmë këtë sepse besojmë që puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin me sukses të saj në mënyrë që të mos ketë ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara dhe po flasim për komunitetet pakicë, po flasim, ndër të tjera, për komunitetin etnik serb në Kosovë, se puna që duhet bërë, që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ nuk është bërë.

 

 

Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë. Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera.

 

 

I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime. Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete.

 

 

Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral… në dialogun Kosovë – Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona” – thotë Hovenier.

 

 

Pyetjes se nëse kryeministri Kurti do të vijojë të mos e marrë parasysh kërkesën e ndërkombëtarëve ambasadori Hovenier thotë se kjo do të ketë pasoja

 

 

“Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Kryeministri e ka dëgjuar nga unë. Ai e ka dëgjuar këtë nga Jim O’Brien drejtpërdrejt në më shumë se një rast. Unë nuk mendoj se dikush ka dyshime për këto shqetësime të Shteteve të Bashkuara apo të partnerëve tanë sepse, përsëri, kishte një deklaratë të QUINT-it.

 

 

Nuk jemi të vetëm në këtë shqetësim. Në masën që qeveria është e përgjegjshme ndaj këtij shqetësimi mbi një çështje kaq të ndjeshme se si komunitetet pakicë në Kosovë e ndjejnë se po trajtohen dhe në masën që qeveria i përgjigjet shqetësimeve që ata i ngrenë, për të cilat besojmë se janë legjitime, në masën që qeveria është partnere për të adresuar ato, atëherë ka ndikim pozitiv në partneritetin tonë.

 

 

Në masën që qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat tona ose të na dëgjojë, është e qartë se ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë. Sikundër e thashë në deklaratën tim dhe sikundër u tha nga Uashingtoni, e dini, kjo ndikon në aftësinë tonë për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare” – tha Hovenier. /LAPSI.al

 

XS
SM
MD
LG