Lidhje


Vuçiç akuzon qeverinë e Kosovës për mosrespektim të të drejtave të serbëve/Kurti dhe Vuçiç, ballë përballë në Këshillin e Sigurimit të OKB

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka nisur pak momente më parë seanca e jashtëzakonshme për çështjen e bllokimit të dinarit serb nga qeveria e Kosovës. Mbledhja u kërkua nga Serbia duke e konsideruar vendimin e marrë në kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

 

 

Përballë njëri – tjetrit, si rrallë herë janë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Albin Kurti. I pari që foli ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se vendimi për heqjen e dinarit serb po ndëshkon popullatën serbe në Kosovë, teksa listoi grupimet e popullatës serbe në Kosovë që preken nga ky vendim.

 

 

“Regjimi i Prishtinës po ndalon mundësitë e popullatës serbe që të marrë shërbimet mjekësore, arsimore, etj. Albin Kurti është persekutor i serbëve. Në territorin e Kosovës dhe Metohisë janë kryer 669 sulme me motive etnike, që është një rritje prej 300 për qind. Do të theksoj një fakt të padiskutueshëm – është plotësisht e padiskutueshme se në territorin e Kosovës dhe Metohisë euro është futur si mjet i vetëm pagese në mënyrë të dukshme të kundërligjshme, sepse është bërë me vendim të njëanshëm të lidershipit politik në Prishtinë”, – u shpreh ai.

 

 

Më pas foli kryeministri i Kosovës që hodhi poshtë akuzat e Vuçiç se në Kosovë janë krijuar kushte të padurueshme për serbët. Kurti, tha se në Kosovë po zbatohet Kushtetuta në masat më të larta për mbrojtjen e pakicave.

 

 

“Është një ironi e thellë që këto pretendime të rrejshme për persekutimeve vijnë nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit”, – i tha Kurti, Vuçiçit me të marrë fjalën.

 

 

“Ky këshill ka krijuar Tribunalin e Hagës për shkak të krimeve, Serbia ka urdhëruar dhe kryer gjenocid në Srebrenicë dhe në Kosovë. Studiuesit e ndryshëm kanë pohuar se përdhunimet janë kryer si mjet lufte…Nga kjo vuajtje Kosova doli si simbol për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut”, – tha Kurti në Këshillin e Sigurimit.

 

 

“Jemi angazhuar për të krijuar institucione efikase, ekonomia është rritur në tri vitet e fundit. Kosova është histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s me partnerët. Ky përparim është theksuar nga një numër organizatash… Rritja jonë ndahet me pakicat, e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së pakicave. 20 ulëse në parlament për pakicat, 10 janë për serbët, për respektimin e gjithë popullatës në Kosovë. Serbët kanë 10 nga 38 komuna”, – tha Kurti.

 

 

Ai i kujtoi Vuçiçit zinë për terroristët e Banjskës dhe se si ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit. /Nga LAPSI.al

XS
SM
MD
LG