Manipulimi i zgjedhjeve - Detaje rreth rinumërimit të votave dhe arrestimit të mbi 100 komisionerëve në Prizren
Rinumërimi i plotë i votave nga vendvotimet e rregullta të zgjedhjeve të 28.12.2025 po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kjo si pasojë e manipulimeve me votat e kandidatëve për deputetë që u zbuluan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Prizreni është komuna në të cilën janë vërejtur ndryshimet më të mëdha pas rinumërimit, edhe pse edhe në komuna të tjera, trendi i manipulimit me vota është evident. Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore e Prizrenit më 23.01.2026 ka zhvilluar një aksion me ç’rast mbi 100 persona janë arrestuar mbi dyshimet për manipulim të votave.
“Kemi informacione që janë sekuestruar telefonët dhe pajisjet e komunikimit të cilat ata i kanë përdorur dhe tash sigurisht që me urdhër të gjykatës të njëjtit do dërgohen në ekzaminime për me u kuptu dhe me u nxjerrë bisedat të cilat ata kanë mundur me i pasë me persona jashtë jashtë komisionit, po ashtu edhe jashtë qendrës së numërimit”- tha Gashi, duke shtuar se njerëz të arrestuar janë edhe familjarë të kandidatëve për deputetë e aktivistë të partive politike.
Ai ka shpjeguar se sipas sistemit të ndërtuar mund të vihet në përfundim se vetëm një person nuk ka mundur të manipulojë me vota por ka pasur organizim grupor në tavolinat në të cilat janë numëruar votat në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Qëllimi i manipulimit në zgjedhje është me i kriju vetes një beneficion ose një personi tjetër, pra në momentin kur ke shtuar votat e dikujt gjithmonë ke me marrë një beneficion prej atij që ia ke shtu votën”- ka thënë Gashi.
Kryeredaktori i KALLXO.com ka kërkuar që të zbulohet se kush i ka mësuar komisionerët të bëjnë manipulimin me vota e të kuptohet se a kanë qenë kandidatët për deputetë të informuar për sistemin e ndryshimit të votave.
Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se manipulimi po ndodh sepse nuk po merren masa.
“Kur vjen te kjo se si trimërohen numëruesit apo individë të caktuar që të prekin procesin zgjedhor është pikërisht te mosmarrja e masave nga organet që janë të thirrura për të ndërmarrë një gjë të tillë”- tha ai në “Kallxo Përnime”.
Si problematikë të zgjedhjeve, Krasniqi ka përmendur edhe votimin e madh me asistencë, si në zgjedhjet e rregullta të shkurtit 2025 edhe ato lokale.
Për manipulimet me vota gjatë zgjedhjeve, Krasniqi ka thënë se tolerancë nuk duhet të ketë asnjë subjekt politik me shkelësit, të cilët sipas tij tashmë dihen e ata janë numëruesit.
Krasniqi ka bërë thirrje që përveç komisionerëve që kanë numëruar votat në QKN, që kanë qenë komisionerë nga partitë politike, t’u sekuestrohen telefonët edhe zyrtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
“Shqetësimi më i madh është që një zyrtar i cili merr pagë prej neve, zyrtari ekzekutiv komunal është zyrtari përgjegjës nga ana e KQZ-së i cili menaxhon bashkërisht me anëtarët e tjerë të KKZ-së, e menaxhon, e organizon procesin e zgjedhjeve në komunën në të cilën është caktuar.”- shtoi ai.
Arianit Elshani, anëtar i KQZ nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Prokuroria duhet të dalë me informacione të sakta se kush i ka mësuar komisionerët të vjedhin vota e po ashtu edhe si ka ndodhur kjo.
“Sa i përket partive politike, besoj e para nuk besoj që kanë me bërë trajnime në raport me hajninë dhe me vjedhjen e aq më pak KQZ-ja që e ka për obligim me i mësu ata qysh me numëru votat, po jo qysh me i shtu votat për kandidatë”- tha Elshani.
Elshani deklaroi se i mbetet Prokurorisë të dëshmojë nëse ka pasur përfshirje të kandidatëve për deputetë në skema të manipulimit me vota, teksa ka shtuar se komisionerët kanë mundur të kenë vullnet e preferencë për ndonjë kandidat.
“Këto e para janë të turpshme që ka ndodhur në vitin 2025 edhe që ka ndodhur në vitin kur ne edhe i patëm tre procese zgjedhore duke i përfshirë këtu dy runde të zgjedhjeve lokale dhe të zgjedhjeve të 9 shkurtit, që në përgjithësi kanë ecë mbarë e mirë në raport me organizimin e KQZ-së, përjashtimisht atyre problemeve softuerike që i kemi pasur më 9 shkurt”- tha Elshani, duke shtuar se telashet janë evidentuar në raport me futjen e të dhënave në sistem në QKN-të.
Në emisionin “Kallxo Përnime” ai ka shtuar se me marrjen e mostrës prej 2% prej KQZ për të verifikuar procesin u vërejtën dallimet të cilat edhe sollën rinumërimin e plotë.
“Ata parimisht kanë besuar që KQZ-ja i mbyll sytë, anëtarët e KQZ-së janë të partive politike e nuk u intereson kjo pjesë e kandidatëve edhe veç vazhdon edhe ec ajo kuti. Ka mundur me pasë ashtu, por në KQZ “hajt se” nuk ka. Ka vite që “hajt se” nuk ka në KQZ, pra këtë çështje jemi munduar me ndalë tërë kohën, qoftë në raport me votimin me asistencë, qoftë në raport me votimin jashtë Kosovës, qoftë me numërimin e votave të të kandidatëve të subjekteve politike”- tha ai.
Eugen Cakolli, nga Insituti Demokratik i Kosovës, në këtë debat ka thënë se ndryshimi i sistemit ka ndikuar në parregullsi.
“Nëse më parë një kandidat për me bërë një skemë të tillë të manipulimit, edhe e marrim shembull Prizrenin ku janë 235 vendvotime, është dashur që në secilën prej tyre me i korruptu të gjithë komisionerët që i bie afërsisht 10,000 veta. E tash mjafton me i gjetë këta 100 që kanë qenë në QKN e madje as 100, mjafton edhe më pak, pra nuk ke nevojë krejt komisionerët nëpër katunde, mjafton me i gjetë, e partitë i dinë kush janë këta persona sepse edhe në bazë të të dhënave fillestare po del që janë të afërm të këtyre kandidatëve”- tha Cakolli.
Cakolli ka treguar se komisionerët janë punësuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor.
Sipas tij, për shkak se numërimi ka filluar më 1 e 2 janar, edhe vëzhgues ka pasur më pak e madje ka pasur komuna ku nuk ka pasur vëzhdues fare e as të partive politike.
Ai konsideron se KQZ e ka zënë fenomenin e manipulimit me vota përmes rastësisë.
“Prej informatave që i kanë pasur për shkak se po përmenden po përmenden kamerat nëse mundem me e ditë pse u hapën kamerat. Ka pasur indicie”- tha Cakolli, i cili u kundërshtua nga Elshani i cili tha se asnjë indicie nga vëzhguesit nuk ka qenë se mund të ketë manipulim të votave.
Gjatë debatit Elshani-Cakolli, ky i fundit ka thënë se pa komunën e Prizrenit, ku kishte ndryshime të mëdha në vota, nuk do të mund të vëreheshin ndryshimet.
Elshani në anën tjetër ka thënë se po relativizohen ndryshimet në komunat e tjera për shkak të Prizrenit e këto ndryshime do vëreheshin edhe nëse rasti i Prizrenit nuk do ishte bërë kaq masiv.
Alban Krasniqi në anën tjetër ka thënë se shoqëria civile ka qenë “në gjumë” kur u vërejtën manipulimet nga KQZ.
Kreshnik Gashi në anën tjetër ka thënë se nuk mund të bëhet përgjegjëse shoqëria civile për mosmonitorim të zgjedhjeve, e se paratë janë dhënë për komisionerët që të bëjnë punën si duhet teksa shoqëria civile ka kryer punën e tyre pa mjete/pro bono.
“Për me e bë një proces të tillë, duhet t’i kesh 500-600 njerëz për me mund me mbikëqyrë një proces të rregullt. E nuk janë, nuk ka kapacitete shoqëria civile”- ka thënë Gashi.
Elshani ka thënë se nëse më herët janë vjedhur votat mes partive politike tash vidhen brenda partisë e KQZ ka arritur që vjedhjen ta bëjë publike e me e pa qytetarët.
Anëtarët e KQZ, të pyetur rreth mundësisë së skanimit të votave, Elshani dhe Krasniqi kanë thënë se kushton diku 225 mijë euro.
Elshani ka thënë se nuk është arritur të sigurohet skaneri për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Krasniqi në anën tjetër ka thënë se një pjesë e stafit në KQZ nuk i kryen si duhet detyrat e tyre, duke shtuar edhe se vendi në vitin 2025 ishte në cikël zgjedhor tërë vitin. Ai tha se tek në shtator 2023 ka filluar mundësia për zhvillim teknologjik e që ka pasur nevoja edhe për hartim të rregulloreve e procedurave, teksa ka thënë se ky është proces që do të bëhet por që nuk ka arritur deri tash.Cakolli në anën tjetër ka thënë se shoqëria civile ka kërkuar që procedin e numërimit dhe administrimit të procesit, ta bëjë adminsitrata publike e jo komisionerët e caktuar nga partitë.
Ai ka thënë se nëse do të konstatohej ndonjë shkelje, ai do e humbte vendin e punës.“Përvoja tregon që këta (komisionerët) nuk janë ndjekur edhe për shkak se janë të partive politike”- tha Cakolli, duke shtuar se votimi elektronik e skaneri do ishin zgjidhja ideale.Ai ka thënë se edhe ndryshimi i votave preferenciale nga 5 në 10 ka ndikuar në zgjedhje.“Ajo çka është interesante është që deri tash me totalin e votave të numëruara dhe të rinumëruara mesatarja në nivel vendi është veç gjashtë. Pra qytetarët mesatarisht i kanë zgjedhur gjashtë vota preferenciale. Në rastin e Prizrenit për shembull një herë ka qenë shtatë, kur i kanë numëruar në qendër komunale.
Tash pas rinumërimit ka ra në gjashtë dhe kjo është indikacion që kur ka një numër të votave të mbetura pa plotësuar, komisionerët e shohin sa e kanë plotësuar për shembull pesë prej 10, ka pasur raste të cilat janë shtuar sepse edhe numrat e tregojnë”- tha Cakolli, duke theksuar se shtimi i votave ka qenë në sistem e jo në fletëvotime.Kreshnik Gashi ka thënë se në Kosovë është një problem kulturor kur vjen rasti te zgjedhjet.“Partitë politike po duan me vjedhë, brenda partive ka struktura që po duan me vjedhë. Këto struktura asnjëherë nuk janë disiplinuar, asnjëherë nuk janë larguar dhe në vazhdimësi janë promovuar”- tha Gashi, duke shtuar se njerëzit që kanë para e influencë brenda partive i shkelin të tjerët.Gashi ka shtuar se problem është votimi në diasporë, të cilët munden me u mbledhë bashkë e me votu me postë.
Ai konsideron se kjo është problem edhe për shkak se nuk ka kompetencë për hetim në vende të tjera si Gjermania e duhet bashkëpunimet me autoritetet atje.Problematike sipas tij janë edhe për shkak se tashmë dihet saktë se cili fshat kënd e ka votu, kjo ndikon që drejtorët e Infrastrukturës nëpër komuna të marrin shumë vota e pastaj të shtrojnë rrugë në ato lokalitete.
Ngjashëm, sipas Gashit, partitë angazhojnë njërëz për të thirrur qytetarë t’i pyesin se a kanë votuar e për t’i bartur ata deri te vendvotimi, por që nuk i raportojnë këto shpenzime në raportet financiare e këto fshihen.Ai ka kërkuar po ashtu nga partitë që të distancohen e të largojnë njerëzit e përfshirë në vjedhje të votave.Arianit Elshani i PDK-së ka thënë se të gjitha partitë distancohen edhe nuk i mbrojnë, e se kryetari i PDK-së ka kërkuar që të tërhiqen ata që bëhen deputetë e del se janë të përfshirë në këto skema.“Asnjë hajn, cilido që del edhe konstatohet, nuk e mbroj” – ka thënë ai.
Alban Krasniqi në anën tjetër ka thënë se ka pasur raste kur LVV ka përjashtuar individë të caktuar për shkelje të statutit.Janë përfunduar mbi 50% e vendvotimeve të cilat iu nënshtruan procesit të rinumërimit, në bazë të përditësimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orët e mesditës 23.01.2026.KQZ ka bërë të ditur se procesi veçse është përmbyllur plotësisht në 19 komuna.Rinumërimi ka përfunduar në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Viti, Zveçan, Vushtrri, Junik, Malishevë, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillugë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.Për shkak të manipulimit me vota në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, mbi 100 komisionerë të partive te ndryshme që janë thirrur për intervistim në lidhje me manipulimin e votave në Prizren.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, ka vendosur për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna, si dhe për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.Rinumërimi i votave ka shkaktuar ndryshime drastike në listat e kandidatëve, veçanërisht brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku disa kandidatë kanë humbur qindra, e madje edhe mijëra vota.Krejt kjo pritet të sjellë vonesa në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht formimin e institucioneve të reja.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, sipas KQZ-së, ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues.Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i atyre që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit ishte 77,086.Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 qendra të votimit, ndërsa ky proces jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Sipas të dhënave të KQZ-së, në 29 përfaqësi diplomatike patën të drejtë vote 19,187 votues.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi ky institucion nuk arriti të zgjedhë Qeverinë, ndonëse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.Si rrjedhojë, e para e shtetit e shpalli 28 dhjetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./kallxo.com