Lidhje


Vendim që trondit Kosovën: Kushtetuesja kundër Kurtit për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje reagoi ashpër të mërkurën ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke e akuzuar atë se ka tejkaluar kompetencat dhe se po formëson një “pol pushteti paralel” jashtë vullnetit të sovranit. Sipas LVV-së, aktgjykimi i fundit për çështjen e Listës Serbe cenon rendin kushtetues dhe krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve.

 

Reagimi i LVV-së vjen pas vendimit të Kushtetueses, e cila ka theksuar se njëri nga deputetët e Listës Serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Gjykata ka sqaruar se e drejta për propozimin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb i takon subjektit që përfaqëson shumicën e deputetëve serbë në Kuvend, në këtë rast Lista Serbe.

 

Në aktgjykim thuhet se mekanizmi i shortit nuk mund të aktivizohet për sa kohë që Lista Serbe nuk ka refuzuar shprehimisht të bëjë propozime dhe se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë duke respektuar këtë parim kushtetues. Gjykata ka nënvizuar se ky interpretim vlen për rastet e ardhshme dhe synon të shmangë bllokada institucionale përmes shkeljes së të drejtave të përfaqësimit komunitar.

 

Çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb ka qenë burim tensionesh politike që nga konstituimi i legjislaturës së kaluar, ndërsa vendimi i fundit i Kushtetueses ka rihapur debatin mbi rolin e gjykatës, kufijtë e saj dhe raportin mes vullnetit politik dhe interpretimit kushtetues. Në këtë klimë, përplasja mes LVV-së dhe Gjykatës Kushtetuese po shihet si një nga konfliktet më serioze institucionale në Kosovë në muajt e fundit.

XS
SM
MD
LG