Sot në orën 17:00 seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më pas votohet Qeveria Kurti 3
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot në orën 17:00, duke shënuar nisjen zyrtare të legjislaturës së re. Seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, në përputhje me rregulloren parlamentare.
Pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha, bëri të ditur se është arritur konsensus që në këtë seancë nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako, ndërsa menjëherë pas konstituimit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës. Sipas Bashës, liderët e subjekteve politike kanë rënë dakord që seanca të zhvillohet në orën 17:00 dhe më pas të procedohet me votimin e kabinetit qeveritar.
Zyra për Informim e Kuvendit ka njoftuar se rendi i ditës përfshin: formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve. Ndryshimi i vetëm nga njoftimi paraprak është ora e mbajtjes së seancës, e cila nuk do të zhvillohet në orën 12:00, siç ishte kërkuar fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani, por në orën 17:00.
Shtyrja e orarit erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për shkak të zhvillimit në Hagë të deklaratave përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca e sotme pritet të hapë zyrtarisht rrugën për formimin e institucioneve të reja dhe konstituimin e plotë të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në vend.