Deklarata e fortë e avokatit në Hagë: Nuk e rishkruani dot historinë, Hashim Thaçi është i pafajshëm!
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po zhvillohet faza e fjalëve përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, avokati i tij Luka Mishetiq ka mbajtur një qëndrim të prerë para trupit gjykues, duke e nisur argumentimin me prezumimin e pafajësisë. Në një moment kyç të procesit, kur gjykatësit pritet të tërhiqen për vendim pas përfundimit të paraqitjeve përfundimtare, Mishetiq ka theksuar se vendimi duhet të nisë nga standardi themelor juridik.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Luka Mishetiq gjyqtarëve.
Avokati ka kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka trajtuar provat, duke pretenduar se janë shpërfillur elementë që diskreditojnë akuzat. “Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”, ka deklaruar ai, duke sugjeruar se narrativa e prokurorisë nuk përputhet me provat e paraqitura në gjykatë.
Në vijim të argumentimit të tij, Mishetiq ka paralajmëruar se një vendim fajësie do të kishte pasoja të rënda jo vetëm juridike, por edhe historike. Ai ka theksuar se shpallja fajtor e Thaçit do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”, duke shtuar: “Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”.
Një pjesë e konsiderueshme e fjalës së tij është përqendruar te akuza për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, për të cilën prokuroria pretendon se ishte në krye të saj i akuzuari, me qëllim marrjen nën kontroll të gjithë Kosovës. Mishetiq ka kundërshtuar këtë tezë, duke deklaruar se nuk ka prova të drejtpërdrejta për një plan të tillë. “Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Mishetiq.
Ai ka theksuar gjithashtu se Thaçi nuk ka qenë fizikisht në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të periudhës që përmendet në aktakuzë dhe se nuk ka prova që ai të ketë marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm. “Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”, ka deklaruar ai.