Lidhje


Rexhep Selimi nga Haga: Të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit, nderi im më i madh!

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u mbajt sot seanca e fundit para shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në këtë fazë përmbyllëse, ish-deputeti Rexhep Selimi mbajti fjalën e tij përpara trupit gjykues, duke theksuar se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.

 

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja”, u shpreh ai në sallën e gjyqit.

 

Selimi theksoi se për të është nder i madh të ketë qenë bashkëluftëtar i Adem Jashari, duke shtuar: “Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare.”

 

“Jam i bindur se bëmë gjënë më të duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, deklaroi ai ndër të tjera.

 

Në këtë proces gjyqësor përballen me akuza për krime lufte edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Të katërt ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre.

 

Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa deklaratat përmbyllëse filluan më 9 shkurt. Me përfundimin e seancës së sotme, gjykimi konsiderohet i mbyllur dhe trupi gjykues pritet të shpallë vendimin brenda tre muajve. Në sallë ishin të pranishëm familjarë të të akuzuarve, si edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca.

XS
SM
MD
LG