Krasniqi para verdiktit: “Nuk jam kriminel, luftova për liri”
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u mbajt sot seanca e fundit para shpalljes së vendimit për ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u paraqit në sallë me kravatë me shqiponjën dykrenare dhe mbajti fjalën e tij përfundimtare, duke kundërshtuar akuzat ndaj tij.
Krasniqi deklaroi se nuk e kupton logjikën e aktakuzës dhe kërkoi nga trupi gjykues që të shqyrtojë me kujdes çdo provë, duke theksuar se nuk do të gjendet asnjë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Ai u shpreh se ndodhet në vitin e 16-të të burgimit “vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi”, duke shtuar: “Qëndroj para jush jo si kriminel, por njeri i lindur dhe i kalitur nga luftërat”. Sipas tij, të drejtat e tij janë mohuar dhe arrestimi i 4 nëntorit 2020 ishte i padrejtë. “Kur e vërteta thuhet thjeshtë nuk ka nevojë për zbukurime”, theksoi ai, duke shtuar se brezi i tij kishte një vizion të vetëm: jetën në liri.
Në këtë proces përballen me akuza për krime lufte edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori 2020. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin. Gjyqi, i nisur më 3 prill 2023, mbylli sot punimet dhe trupi gjykues pritet të shpallë vendimin brenda tre muajve. Në sallë ishin të pranishëm familjarë dhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.