Kurti takon Hamzën, nis konsultimet për Presidentin – Nesër takim edhe me Abdixhiku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, në kuadër të konsultimeve politike për zhvillimet e fundit në vend dhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për nevojën e hapjes së një kapitulli të ri komunikimi dhe dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, në funksion të forcimit të pluralizmit partiak dhe demokratik.
Në këtë takim, Hamza ka shprehur gatishmërinë për koordinim parlamentar, duke theksuar se PDK-ja ka votuar më herët marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend. Palët kanë diskutuar edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, për të cilin kanë mbetur vetëm 10 ditë nga afatet kushtetuese. U theksua se bashkëpunimi ndërmjet forcave politike është i domosdoshëm, duke qenë se për zgjedhjen e Presidentit kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur gjithashtu se Kurti do të vijojë konsultimet politike edhe me partitë e tjera parlamentare. Nesër ai do të zhvillojë takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, në përpjekje për të siguruar konsensusin e nevojshëm për çështjet kyçe institucionale.