Lidhje


Glauk Konjufca do të udhëheqë dialogun me Serbinë – Çfarë ndryshon në proces?

 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të marrë zyrtarisht udhëheqjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Lajmi u bë i ditur nga ministri Glauk Konjufca pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ku u diskutua mbi qasjen dhe parimet për ta bërë procesin më efektiv dhe të qëndrueshëm.

 

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, duke e parë atë si proces mes dy shteteve sovrane në rrugën drejt integrimit evropian. Edhe Kryeministria rikonfirmoi angazhimin për normalizim të plotë me njohje reciproke. Sorensen u prit gjithashtu nga kryeministri Albin Kurti.

 

Nga Brukseli, korrespondenti Augustin Palokaj theksoi se mbetet për t’u qartësuar nëse MPJD do të ketë rol të zgjeruar edhe në procesin e integrimit evropian. Ai paralajmëroi se, në rast të një ftese për takim të nivelit të lartë nga shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, Kosova duhet të shmangë perceptimin si palë përgjegjëse për dështimin e mundshëm të tij.

 

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri e cilësoi këtë zhvillim si “momentum të ri”, duke theksuar se suksesi i dialogut do të varet nga gatishmëria për kompromis dhe realizëm politik. Takimi i fundit i nivelit të lartë është mbajtur në shtator 2023, pak para sulmit terrorist në Banjskë, për të cilin Kosova fajëson Serbinë, ndërsa dialogu ka vijuar në nivel kryenegociatorësh./ REL

XS
SM
MD
LG