Lidhje


Spiropali nga Prishtina: Kosova prioritet absolut! - Takim i përbashkët i dy qeverive në 2026

 

Gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe më pas mbajti konferencë të përbashkët për media me homologun e saj Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, paralajmëroi se brenda vitit 2026 do të mbahet një mbledhje e përbashkët e dy qeverive. Sipas saj, në këtë takim do të rishikohen mbi 90 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani dhe do të diskutohen fusha të reja bashkëpunimi.

 

Spiropali theksoi se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se kjo nuk është retorikë solidariteti, por orientim strategjik shtetëror. Ajo u shpreh se integrimi evropian i Kosovës përbën një test për koherencën e Bashkimit Evropian, kërkoi heqjen e masave të BE-së dhe theksoi se Kosova meriton statusin e vendit kandidat. Lidhur me dialogun me Serbinë, ajo deklaroi se stabiliteti në rajon kërkon pranimin e realitetit të pavarësisë së Kosovës. Spiropali komentoi gjithashtu proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar drejtësi të paanshme dhe pa standarde të dyfishta.

 

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, e cilësoi bashkëpunimin me Shqipërinë si marrëdhënie vëllazërore, duke theksuar përkushtimin për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe koordinimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe NATO. Vizita e Spiropalit nisi në Prekaz, në kompleksin memorial “Adem Jashari”, ku ajo nënvizoi simbolikën e sakrificës për lirinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG