Lidhje


Konjufca: President për Kosovën? - Vetëm dikush nga familja Jashari sjell konsensus,

 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se i vetmi emër që do të sillte automatikisht pritje pozitive dhe konsensus në shoqëri për postin e presidentit është një kandidat nga familja Jashari. Ai theksoi se kjo çështje kërkon dakordim mes partive politike, ndërsa nuk pranoi të komentojë nëse ka pasur vullnet konkret nga familja Jashari për këtë post.

 

Deklaratat e tij vijnë në një moment kyç, pasi Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 4 mars për zgjedhjen e presidentit të ri. Pak ditë më parë, kryeministri Albin Kurti vizitoi Prekazin dhe u takua me Rifat Jasharin, por pa bërë të ditur nëse është diskutuar tema e presidencës.

 

Konjufca, duke folur në emër të mazhorancës prej 66 deputetësh, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka shmangur qëllimisht propozimin e një kandidati të njëanshëm për të mos e vënë opozitën “para murit”. Sipas tij, Kushtetuta kërkon që presidenti të zgjidhet me konsensus më të gjerë dhe jo me shumicë të thjeshtë, ndaj dialogu me opozitën është rruga e duhur.

 

Në këtë kuadër, Kurti ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët janë shprehur se vendit i nevojitet një president konsensual. Ndërkohë, presidentja aktuale Vjosa Osmani ka lënë të hapur mundësinë për një mandat të dytë, edhe pse ka pasur zëra skeptikë mbi mbështetjen e saj për një rizgjedhje.

XS
SM
MD
LG