Lidhje


Nis gjyqi i dytë - Thaçi dhe katër të tjerë në Hagë për pengim të drejtësisë

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur seanca për deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët përballen me akuza për pengim të drejtësisë.

 

Seanca nisi në orën 09:30 dhe pritet të përmbyllet rreth orës 16:00, ndërsa pas deklaratave hyrëse Prokuroria do të vijojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues. Seancat e gjykimit janë planifikuar të zhvillohen nga 2 deri më 6 mars.

 

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarë dhe se kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.

 

Gjatë seancës, të pestë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm. “Jam plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Hashim Thaçi para trupit gjykues. Edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi kanë mohuar akuzat që u vihen në barrë.

 

Procesi pritet të vijojë me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa mbrojtja do të ketë mundësi të kundërshtojë akuzat gjatë fazave të mëtejshme të gjykimit.

XS
SM
MD
LG