Begaj në Shkup: Shqiptarët faktor shtetformues, integrimi në BE rrugëtim i përbashkët strategjik
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga homologja e tij Gordana Siljanovska-Davkova. Në qendër të takimeve ishin të drejtat e shqiptarëve, integrimi europian dhe thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fusha strategjike.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Begaj theksoi rolin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar: “Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribues, konstruktiv. Shqiptarët mbeten faktor kyç për stabilitetin politik.” Ai nënvizoi se Shqipëria e konsideron historike Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe se “përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanizmit të barazisë janë elementë kryesorë për stabilitetin dhe perspektivën europiane”.
Kreu i shtetit shqiptar theksoi se integrimi në Bashkimin Europian është objektiv i përbashkët i të dy vendeve, me synimin për të mbyllur kapitujt negociues deri në vitin 2027 dhe për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030. Në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Begaj u shpreh se “integrimi evropian nuk është vetëm objektiv i Shqipërisë, por rrugëtim strategjik i vendeve tona”, duke shtuar se “zgjerimi nuk është kosto për Evropën. Evropa nuk është vetëm destinacion, është standard”.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratave iu kushtua projektit strategjik të Korridorit VIII, të cilin Begaj e cilësoi si simbol të një epoke të re bashkëpunimi. “Korridori VIII është energjetik, hekurudhor dhe rrugor, dhe mbi të gjitha korridor i sigurisë evropiane që lidh Mesdheun me Detin e Zi”, theksoi ai.
Nga ana e saj, presidentja Siljanovska-Davkova deklaroi se në një botë të pasigurt politike dhe me sfida për sigurinë europiane, forcimi i bashkëpunimit është thelbësor. “Gjithmonë kemi dhënë dhe do të vijojmë të japim kontribut në ruajtjen e paqes”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se pakicat etnike përbëjnë ura lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve.
Vizita përfshiu edhe dimensionin arsimor dhe shkencor, me pjesëmarrjen e rektorit të Universitetit të Tiranës, si dhe angazhime për zgjerimin e bashkëpunimit në energjinë e gjelbër, ekonominë digjitale dhe lehtësimin e lëvizjes në pikat kufitare.
Begaj e mbylli mesazhin e tij me mbështetje të qartë për Shkupin, duke theksuar se Shqipëria e mbështet “pa ekuivok” rrugëtimin europian të Maqedonisë së Veriut dhe se bashkëpunimi rajonal mbetet kyç për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë.